• Turizëm dhe Kulturë

Lider lind apo bëhesh? Libri “Si të udhëheqësh” i David Rubenstein sjell sekretet e lidershipit

Në një intervistë për gazetarin, Andri Xhahu, në emisionin “Në radio”, botuesi David Hudhri, tregon se libri është ndërtuar me intervistat që Rubenstein-i ka realizuar në emisionin e tij “Peer to Peer Conversations” (Biseda ballë për ballë) në Bloomberg TV. “Para pesë vitesh autori i librit filloi një emision në një nga televizionet më të njohura amerikane ku ka intervistuar figurat më të spikatura të kohës të fushave të ndryshme; historianë, shpikës, muzikantë, komandantë, presidentë, biznesmenë. Ky libër është një përmbledhje ose një transkript i disa prej intervistave më të mira që ka zhvilluar gjatë këtyre viteve.”

Në këtë libër janë 30 individë të spikatur, 15 burra dhe 15 gra të ndarë në 6 kategori: vizionarë, ndërtues, transformues, komandantë, vendimmarrës dhe mjeshtër. Libri synon të ofrojë perspektiva nga kategori të ndryshme liderësh, që lexuesit të frymëzohen për të zhvilluar apo përmirësuar aftësitë e tyre udhëheqëse. Si ndërtuan Jeff Bezos dhe Bill Gates perandoritë e tyre teknologjike globale? Si arriti Condoleezza Rice në nivelet më të larta të qeverisë amerikane? Si i përballuan Bill Clinton dhe George Ë. Bush sfidat e vështira me të cilat u përballën si presidentë? Si u bë Dr. Anthony Fauci një nga zërat më të respektuar në luftën kundër sëmundjeve infektive si Ebola, HIV/AIDS dhe COVID-19?

“Po të shohësh historitë e personazheve në libër, të gjithë kanë prejardhje shumë të thjeshta, nuk vijnë nga familje të pasura. Disa prej tyre kanë pasur një fëmijëri shumë të vështirë, gati ekstreme. Nuk kanë pasur ndonjë intelekt apo talent të rrallë. Të gjithë kanë punuar për të arritur atë që kanë dashur, i kanë qëndruar besnik një vizioni, kanë këmbëngulur deri në fund edhe përballë vështirësive më të mëdha.” – shpjegon Hudhri.

David Rubenstein i sjell liderët që ka intervistuar në një aspekt shumë njerëzor, duke folur si për suksesin ashtu dhe për dështimet. “Mendoj se çdokush mund të mësojë prej këtyre njerëzve për të kuptuar se liderët nuk ndryshojnë shumë nga të tjerët. Mund të kenë prindër abuzivë, rritur nga gjyshërit, mund të kenë pasur defekte, dhe në fund ia kanë dalë të kenë bërë diçka për jetën e tyre.”

Nëse një lider lind i tillë apo bëhet falë punës, Hudhri zbulon se ata nuk kanë spikatur në fazën e shkollimit. “Autori thotë se këto figura në fazën e edukimit nuk kanë shfaqur intelekt, etikë pune apo të kenë arritur nota të larta akademike.” Por sipas Rubenstein-it janë një sërë faktorësh që të intervistuarit kanë radhitur si emërues të përbashkët të suksesit të tyre, si fati, dëshira për sukses, shumë orë punë, fokusimi, këmbëngulja, integriteti, përulësia, etj. “Ata flasin me zërin e tyre për përvojën jetësore, dështimet, sukseset, emocionet dhe gjithçka që janë përballur.”

Autori i librit “Si të udhëheqësh” është ekspert për lidershipin. “Ai është avokat, ka punuar në administratën publike në SHBA. Është me origjinë hebreje. Iu fut botës së financës, ku themeloi një nga firmat e para financiare në Ëashington kur gjithë të tjerët përpiqeshin t’i themelonin në Neë York si kryqendra financiare e botës.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *