Viktor Sadikllari është një nga bukëpjekësit më të vjetër të qytetit të Korçës. Prej 31 vitesh ai e ushtron këtë profesion në zemër të qytetit, pranë Mitropolisë, ku ndodhet edhe një nga furrat më të hershme. Buka e gatuar nga Viktori dhe e pjekur në furrën me dru ka një shije të veçantë, kjo bën që e gjithë sasia të shitet çdo ditë, e madje shumë klientë të rregullt e kanë të prenotuar që një ditë më parë. Bukëpjekësi tregon se ka ruajtur recetën e vjetër të gatimit të bukës, çka është edhe çelësi për cilësinë e lartë të saj.
Përveç bukës në furrën e Viktorit piqen shpesh edhe tava të ndryshme të gatuara nga amvisat korçare, pasi kjo është një traditë e hershme që vijon të ruhet ende në qytetin e Korçës.
Zanatin e bukëpjekësit Viktori është munduar tja kalojë edhe djalit të tij, pasi mendon se ky është një zanat mjaft i mirë, si dhe ka dëshirë që të ruhet tradita e vjetër e gatimit dhe pjekjes së bukës.
Viktori sot është 67 vjeç, por nuk ka menduar që ta lerë zanatin, pasi është një punë që i jep edhe më shumë kënaqësi kur merr falenderimet e klientëve, për cilësinë e bukës. Çdo ditë ai gatuan e pjek më shumë se 100 bukë, të cilat shiten menjëherë. Pavarësisht kërkesave të larta për këtë lloj buke, ai tregon se nuk ka menduar ta zgjerojë edhe më shumë biznesin, pasi është i vendosur të ruajë cilësinë e këtij gatimi dhe formën e pjekjes me dru zjarri, çka është edhe veçantia e kësaj buke.