Data 15 maj ka shënuar edhe fundin e afatit zyrtar për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të degës së partisë Demokratike të Rithemeluar në Korçë. Burime nga kjo forcë politike bëjnë të ditur se tre janë kandidaturat të cilat kanë dorëzuar dokumentacionin për të marrë pjesë në garën për kryetar. Bëhet fjalë për ish deputeten, e pedagogen Eleina Qirici e cila e ka shpallur edhe publikisht gati një muaj më parë, dëshirën e saj për të kandiduar për këtë post, një tjetër kandidat për kryetar është Dhimitri Çyfeku, një nga anëtarët më të vjetër të Partisë Demokratike me një kontribut të gjatë në këtë forcë politike, aktualisht ai ka dhënë dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD për shkak të kandidimit për këtë post. Kandidatura e tretë është ajo e Harito Zoto, një i ri demokrat i diplomuar për ekonomi, i cili gjatë viteve ka pasur edhe disa detyra drejtuese në strukturat e kësaj force politike. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se këto kandidatura janë dërguar për tu shqyrtuar e miratuar në kryesi dhe më pas pritet edhe zyrtarizimi i tyre, si dhe organizimi i zgjedhjeve për kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike të Rithemeluar në Korçë, proces zgjedhor që ka dalë si detyrim pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm Devis Osmani.
- Korça