Rreth 400 nxënësit e shkollës fillore “Myrteza Sala” në qytetin e Bilishtit tashmë zhvillojnë mësimin në kushte shumë herë më të mira. Kjo falë një investimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për rikonstruksionin total të godinës së kësaj shkolle.
Godina e ndërtuar që në fillim të viteve 70 kishte nevojë për ndërhyrje pasi me kalimin e viteve ishte amortizuar.
Shkolla iu nënshtrua një rikonstruksioni total duke përfshirë edhe termoizolimin e godinës, sistemin e ngrohjes, rikonceptimin e sheshit përpara shkollës si dhe terrenet sportive bashkë me palestrën.
Investimi në vlerën e 108 milion lekëve nga Ministria së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Bashkinë Devoll bëri të mundur që shkolla të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit.