• Lajme nga bota

FMN: Inflacioni i lartë dhe i zgjatur po zbeh parashikimet për ekonominë botërore

Parashikimi për rritje të ekonomisë botërore këtë vit është zbehur, përballë inflacionit kronik të lartë, rritjes së normave të interest, si dhe pasigurive që rezultuan nga kolapsi i dy bankave të mëdha amerikane.

Ky është vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili të martën uli parashikimet e tij për rritjen ekonomike globale. 

FMN tani parashikon për 2023 një rritje prej 2.8%, nga 3.4% në 2022, si dhe nga vlerësimi prej 2.9% që parashikoi në janar.

Fondi tha se rritja e normave të interesit mund të shkaktojë edhe recesion, veçanërisht në vendet më të pasura të botës. 

“Këto kushte po rrisin gjithashtu rreziqet për stabilitetin financiar global”,- paralajmëroi fondi.

“Situata mbetet e brishtë,”- u tha gazetarëve të marten, Pierre-Olivier Gourinchas, kryeekonomisti i FMN-së. 

“Rreziqet negative mbizotërojnë.”

FMN, një organizatë huadhënëse me 190 vende, parashikon 7% inflacion global këtë vit, nga 8.7% në 2022.

“Inflacioni është shumë më i lartë nga sa ishte parashikuar disa muaj më parë,”- shkroi Gourinchas në Perspektivën e fundit Ekonomike Botërore të FMN-së.

Inflacioni vazhdimisht i lartë pritet të detyrojë Rezervën Federale dhe bankat e tjera qendrore të vazhdojnë të rrisin normat, si dhe t’i mbajnë ato afër një piku për të luftuar çmimet gjithnjë në rritje. 

Kostot gjithnjë e më të larta të huamarrjes pritet të dobësojnë rritjen ekonomike dhe potencialisht të destabilizojnë bankat që kishin filluar të mbështeteshin në norma historikisht të ulëta.

Tashmë, paralajmëroi Gourinchas, normat më të larta “po fillojnë të kenë efekte anësore serioze për sektorin financiar”.

Raporti vjetor i Stabilitetit Financiar Global i fondit, i publikuar gjithashtu të martën, nxori edhe rekomandime për vendimmarrësit ndërkombëtarë:

“Politikëbërësit mund të kenë nevojë të rregullojnë qëndrimin e politikës monetare për të mbështetur stabilitetin financiar” – domethënë, të rimendojnë ndoshta ritmin e rritjes së normave të interesit që synojnë të frenojnë inflacionin. Apnews

/korca.rtsh.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *