Buka e re është gati në Maliq. Të korrat e grurit kanë përfunduar dhe banorë nga e gjithë zona janë mbledhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Drithas të Bashkisë Maliq për të festuar bukën e re.
Festa e kthyer tashmë në një traditë, e cila quhet ndryshe edhe “festa e grurit”, vjen si çdo vit me një atmosferë të gëzueshme nga të gjithë banorët e Maliqit, por edhe të të gjitha njësive administrative në këtë Bashki. Gatime të ndryshme të përgatitura me miellin e bukës së re nga amvisat e kësaj zone kanë shoqëruar festën, ndërsa ajo kulmoi edhe me një koncert muzikor, ku i pranishëm ishte edhe këngëtari i mirënjohur Dule Malindi.
Mes këngëve e valleve, banorët e Maliqit kanë ndarë mes tyre bukën e re, e cila tashmë është gati për t’u konsumuar në çdo tryezë.
Për fatin e keq, prodhimi i këtij sezoni sa i perket kulturës së grurit nuk ka qenë ai që pritej për shkak edhe të kushteve klimatike, madje një problem mbetet edhe çmimi që është aktualisht në treg, por kjo nuk i ka penguar banorët që t’i gëzohen fryteve të punës së tyre të palodhshme.
Fusha e Maliqit dhe fshatrave përreth është e dyta pas Myzeqesë dhe mbetet një prej sipërfaqeve më të mëdha bujqësore në vendin tonë që kultivon prodhime të ndryshme nga banorët dhe fermeret puntorë të të gjithë asaj zone.