• Lajme nga bota

Tragjedi në Greqi: Përplasen kokë më kokë dy trena, 38 të vdekur, 85 të plagosur

Një tragjedi e rëndë është shënuar orët e para të kësaj të mërkure (1 mars) në Greqi, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë e për pasojë 38 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Tashmë kanë nisur hetimet ndërkohë që bilanci i viktimave mund të jetë edhe më i madh. 

LAJMI NË PËRDITËSIM

Ora 11:00 Identifikimi i viktimave i vështirë 

Ka shkuar në 38 numri I viktimave të aksidentit tragjik të përplasjes së dy trenave. Ndërkohë sipas autoriteteve janë plagosur 85 persona mes tyre 53 janë të shtruar në spital. Në spitalin e Larisës ka nisur identifikimi i viktimave dhe mjekët thonë se për një pjesë të tyre është e nevojshme analiza e ADN-së për të bërë të mundur identifikimin, shkruan CNN grek.

09:55 Përplasja e dy trenave në Tempe, Kosova solidarizohet me Greqinë

Kosova është solidarizuar me Greqinë pas aksidentit fatal. Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa ka shprehur mbështetjen e Kosovës për popullin grek.

Zemrat tona janë me popullin e Greqisë pas aksidentit shkatërrues të trenit dhe humbjes tragjike të jetëve. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkruan Osmani në rrjetin social Twitter.

09:35 MEPJ në kontakt me ambasadën për shtetas shqiptarë të përfshirë në aksident! Rama: Lutemi për fqinjët tanë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tragjedisë në Greqi, ku ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave. 

 “Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosur në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.

Për tragjedinë ka reaguar dhe Ministria e Jashtme, e cila ka bërë me dije se është vazhdimisht në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën shqiptare në Athinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Selanik lidhur me aksidentin. Ministria ka njoftuar se deri në këto momente nuk ka informacion për shtetas shqiptarë të përfshirë në aksident. 

09:28  Turqia ngushëllon Greqinë për aksidentin tragjik të përplasjes së trenave

Turqia e cila aktualisht po përballet me tragjedinë e tërtmetit shkatërrimtar i ka shprehur ngushëllimet shtetit grek për tragjedinë e ndodhur gjatë natës ku 38 persona kanë humbur jetën deri më tani si pasojë e përplasjes së dy trenave.

 “Me dhimbje mësuam se shumë persona humbën jetën dhe u plagosën mbrëmë si pasojë e aksidentit të trenit në fqinjin tonë Greqi. Shprehim ngushëllimet tona për të afërmit e atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik si dhe për popullin dhe qeverinë greke dhe i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkrunhet në njoftimin për median të Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

09:00 – Rritet bilanci i viktimave, deri tani 36 të vdekur. Greqia shpall tre ditë zie

Pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në Greqi pas përplasjes kokë më kokë të trenit me pasagjerë dhe trenit të mallrave, Greqia ka shpallur 3 ditë zie kombëtare. Vendimi është marrë mëngjesin e kësaj të mërkure (1 mars) nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ky i fundit ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ndodhi përplasja fatale që u mori jetën 36 personave dhe plagosi mbi 80 pasagjerë.

Ora 08:50 Tragjedia në Greqi, reagon presidenti Begaj: Shqipëria qëndron krah popullit grek

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për tragjedinë e ndodhur gjatë natës në shtetin fqinj, në Greqi, ku dy trena janë përplasur me njëri-tjetrin duke shkaktuar 38 viktima.

Ora 08:45 Presidentja, Kryeministri dhe Ministrat në vendngjarje! PE: Jemi pranë popullit grek

Presidentja Katerina Sakellaropoulou, kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Kostas Ach, janë nisur drejt vendngjarjes, në Tempi.  Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola u shprehu ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave.

“Trishtim i thellë pas aksidentit të tmerrshëm të trenit pranë Larisës në Greqi. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Mirënjohje për të gjithë shpëtimtarët dhe personelin mjekësor në zonë. Mendimet tona janë me popullin grek pas kësaj ngjarje tragjike”, shkroi ajo në rrjetin social Twitter.

Ora 08:30 Dëshmia tronditëse e pasagjeres: Pashë flakë gjithandej dhe gratë që ulërinin

“Pashë flakë gjithandej, pashë copa metali të shkrirë prej vagonëve dhe shumë nga njerëzit tanë humbën jetën, nuk patën kohë të dilnin”. Kjo është një nga dëshmitë tronditëse e një prej pasagjerëve të trenit që u përplas mbrëmë vonë në zonën e Evangelismos  të Greqisë duke shkaktuar 32 viktima. Ajo thekson më tej se ka qenë një frenim i fortë që e ka zgjuar, teksa shumica e pasagjerëve ishin në gjumë.

Ora 07:16  Tragjedi në Greqi/ Përplasen kokë më kokë dy trena, humbin jetën 32 persona, plagosen 85 të tjerë

Një tragjedi e rëndë është shënuar orët e para të kësaj të mërkure (1 mars) në Greqi, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë e për pasojë 32 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas CNN.gr, treni IC62 ishte nisur nga Athina për në Selanik në momentin kur është përplasur me një tren mallrash në zonën e Evangelismos.

Në momentin e përplasjes, sipas të dhënave të publikuara nga kompania Hellenic Train , në bord ndodheshin rreth 350 pasagjerë. Kur treni ka nisur udhëtimin nga Athina, ka pasur 430 persona, por 80 prej tyre kanë zbritur në Larisa, ndërsa pjesa tjetër ka vazhduar rrugën deri në përplasjen e rëndë të dy trenave pranë qytetit Tempe.

Sakaq, autoritetet greke kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa po punohet për nxjerrjen e pasagjerëve të tjerë të ngecur në tren.

Përpjekjet e zjarrfikësve janë fokusuar aktualisht në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve të cilët janë përmbysur dhe ku nxjerrja është edhe më e vështirë.

Funksionimi i zjarrfikësve në vagonët e veçantë bëhet me ndihmën e 4 mjeteve speciale me vinç që do të heqin telat.  Të plagosurit janë dërguar në disa spitale, në spitalin Universitar, Spitalin e Përgjithshëm dhe Spitalin Ushtarak të Larisës, si dhe në Spitalin Ushtarak të Athinës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *