• Lajme nga bota

Protestë para gjykatës në Hagë, diaspora shqiptare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Me mijëra shqiptarë janë mbledhur para Gjykatës së Hagës në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së, ku po zhvillohet edhe gjyqi ndaj tyre.

Nën moton “Jo në emrin tim”, diaspora shqiptare po proteston në mënyrë paqësore ku kërkon lirimin e ish krerëve të UÇK dhe gjykata të mos njollosë luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës.

“Ne jemi këtu me shpall pakënaqësi ndaj gjykatës se Hagës, është një padrejtësi e madhe që po u bëhet krerëve te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha një protestues

“Sot shihet që ka interesim të madh të bashkatdhetarëve nga të gjitha anët e Evropës, edhe nga Amerika e largët, protesta ka qëllimin vetëm për kërkim të drejtësisë, ne duam vetëm drejtësi dhe gjykim të drejt të liderëve tonë të luftës dhe paqes”, thotë njëri nga organizatorët  

Të pranishëm në protestë janë edhe familjarë të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit si dhe bashkëshortja e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, Shqipe Selimi.

 “Pres një proces te drejtë, shpresoj që do të jetë një proces i drejtë dhe sa me shpejtë të përfundojë”, ka thënë vajza e Jakup Krasniqit.

Sot në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur gjykimi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte. Ata ndodhen në parabrugim prej nëntorit të vitit 2020, ndërsa janë vetëdeklaruar para trupit gjykues të pafajshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *