• Lajme kombëtare

Turizmi në Shqipëri, potenciali që ofron vendi ynë në përballjen botërore të sektorit

Shqipëria ka një potencial të konsiderueshëm, të pashfrytëzuar të zhvillimit të turizmit. Avantazhet dhe asetet e saj turistike përfshijnë një pozicion të favorshëm gjeografik, afër Evropës, me produkte dhe vende të ndryshme, në një zonë relativisht të vogël.

Atraksionet e Shqipërisë përfshijnë aksesin në tre vende historike dhe kulturore të UNESCO-s, kishat, manastiret dhe xhamitë, festivalet folklorike, muzikën dhe instrumentet vendase, së bashku me kuzhinën e pasur dhe të larmishme, peizazhet dramatike dhe bregdetin.

Për të pasur sukses në tregjet rajonale dhe globale të udhëtimit, industria e turizmit në Shqipëri duhet të rrisë konkurrencën e saj në fushat e destinacioneve të turizmit natyror, kulturor, dhe të biznesit duke e çuar kështu përpara industrinë e përgjithshme të turizmit.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme krijimi i mundësive të punësimit direkt dhe indirekt për të forcuar aftësinë turistike të Shqipërisë nëpërmjet sasisë dhe cilësisë së strukturave akomoduese.

Turizmi shqiptar vuan nga standardet e ndryshme të produkteve turistike, mungesa e një sistemi të besueshëm akreditimi, koordinimi i kufizuar i marketingut të produkteve, rrjetet e kufizuara ndërmjet operatorëve, cilësia e ulët e produkteve të ofruara në treg dhe standardet e ulëta për strukturat akomoduese.

Turizmi ndërkombëtar është jashtëzakonisht konkurrues. Më shumë udhëtarë dhe operatorë turistikë ndërkombëtarë po bëjnë kërkime në internet për të vendosur për ture, destinacione dhe hotele.

Në sfidat e zhvillimeve afatmesme dhe afatgjata të ekonomisë shqiptare, turizmi konsiderohet si një nga sektorët më potencialë për arritjen e një rritjeje më të lartë ekonomike dhe me efekte pozitive në rritjen e punësimit dhe të ardhurave reale.

Shqipëria ka shënuar rimëkëmbjen më të shpejtë të turizmit, në raport me para krizën e pandemisë, sipas të dhënave të Eurostat.

Turizmi ka shënuar shifra rekord në drejtim të numrit të vizitorëve të huaj dhe vlerës së shpenzimeve të tyre në Shqipëri. Rikthimi i shpejtë i turizmit në ciklin e rritjes, është një faktor që nxit investimet e reja në struktura akomoduese. Dhe jo vetëm!

Por studiuesit vërejnë se edhe pse turizmi është një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, ai megjithatë ka një sezonalitet të madh dhe një shpërndarje të pabarabartë sipas rajoneve.

Strategjitë për zhvillimin e turizmit duhet të synojnë diversifikim produkti, si kultura, gastronomia, produkte cilësore, vlerësimi i produkteve lokale, autenticitet, diferencim në çmime, segmentim të tregut etj.

Për tre ditë në Tiranë do të jenë më shumë se 40 vende nga e gjithë bota dhe rreth 300 të ftuar që do të bëhen pjesë, e forumit FESTA. Vlerësohet se është forumi më të madh ndërkombëtar, kushtuar turizmit. me pjesëmarrjen e të gjitha mediat ndërkombëtare, të gjithë turoperatorët, ku të gjitha bizneset, sektori privat dhe publik gjejnë Shqipërinë me një model të veçantë: atë të turizmit të përgjegjshëm, të turizmit që respekton mjedisin.

Për të gjithë ata që janë pjesë e industrisë së turizmit dhe udhëtimit, datat 3, 4 dhe 5 prill do të jenë një mundësi për të dëgjuar ekspertët e fushës, për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit. Shqipëria tashmë flet edhe ajo më gjuhën ndërkombëtare të turizmit.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *