• Devoll

Transportoi 15 emigrantë të paligjshëm drejt kufirit, arrestohet në Devoll 56-vjeçari

Një 56-vjeçar u kap duke transportuar kundrejt pagesës, me një automjet (furgon), 15 emigrantë të paligjshëm dhe menjëherë u vu në pranga nga policia.

Sipas njoftimit, sekuestrohen furgoni, një aparat celular dhe një shumë parash.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 9”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

-G. A., 56 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Bilisht-Korçë”, pranë fshatit Cangonj, Devoll, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip furgon, u gjetën 15 emigrantë të paligjshëm.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 56-vjeçari do t’i transportonte emigrantët e paligjshëm, kundrejt pagesës, në kufirin me Kosovën, me qëllim që të kalonin ilegalisht në këtë shtet dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *