• Pogradec

Rruga Qukës – Qafë Plloçë/ Përfundojnë 75% e punimeve të lotit të tretë

Përfundojnë 75% e punimeve të lotit të tretë të rrugës Qukës – Qafë Plloçë. Loti i tretë i këtij aksi ka një gjatësi prej 9,5 km dhe nis prej km 33,8 të aksit e deri në Qafë Plloçë. Sipas drejtuesit të punimeve Genci Sinani aktualisht po punohet në 5 km e fundit të rrugës duke kryer përgatitjet e duhura për shtresat e asfaltit, duke shtruar stabilizantin, por edhe duke vendosur bordurat, gabionat dhe duke kryer mbrojtjen e skarpatave. Sipas të njëjtit burim në pjesën tjetër të lotit të tretë të rrugës po punohet me mbushje, vendosje tombinosh, gërmime e drenazhime. Në të gjithë këtë aks punimet janë duke u kryer me intensitet të lartë e makineri të shumta. Drejtuesi i punimeve thotë se afati për përfundimin e punimeve është gushti i vitit 2025 dhe mendohet se i gjithë loti do të jetë i përfunduar brenda kësaj periudhe. I gjithë aksi nga Qukësi në Qafë Plloçë është e gjatë 43.4 km dhe ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, pasi bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj. Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *