• Kolonjë

Rruga Korçë – Ersekë, përfundojnë rreth 90% e punimeve

Përfundojnë rreth 90% e punimeve në aksin Korçë Ersekë, aty ku është duke u ndërtuar një rrugë me parametra bashkëkohore e cila do të shkurtojë ndjeshëm kohezgjatjen e udhëtimit, nga rreth 45 min që është aktualisht në vetëm 20 min. Nga Qafa e Qarrit e deri në Ersekë rruga kalon në një gjurmë të re me gjatësi 17,5 km. Sipas inxhinierit drejtues të punimeve Maris Hysa bëhet fjalë për një rrugë me gjerësi 8,5 m duke përfshirë edhe bankinat, e cila kalon në luginë. Në të gjithë këtë aks kanë përfunduar pjesa më e madhe e veprave të artit, si dhe shtrati i rrugës me të gjitha shtresat e saj duke qenë gati për asfalt. Ndërkohë aktualisht punëtorët janë përqëndruar në urën e Selenicës.

Ura e Selenicës është 210 m e gjatë dhe ka një lartësi prej 28 m. Në të aktualisht janë duke përfunduar kollonat e betonit dhe pritet të vijohet puna me shtratin e urës. Me përfundimin e segmentit të ri distanca nga Korça në Ersekë shkurtohet në 35 kilometra. Po kështu, aksi i ri do të ketë të gjithë elementët e nevojshëm që lidhen me sigurinë rrugore. Ndërtimi i tij do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *