Nisma rinore “Të njoh ty” është rikthyer në një fazë të dytë të saj, por këtë herë është menduar të zhvillohet në bashkitë Devoll dhe Kolonjë, duke i nxitur të rinjtë në këto vende të rrisin aktivitetet rinore si dhe aftësitë sociale në këto zona. Koordinatorja Maria Dojçe tregon se të rinjtë në të dy bashkitë do të punojnë sëbashku në të gjitha aktivitetet duke njohur zakonet e trevave si edhe njëri tjetrin. Bullizmi do të jetë në qendër të aktiviteteve si një nga fenomenet mjaft të përhapura në kohën tonë, gjithashtu edhe fake news ose lajmi i rremë duke i ndihmuar të rinjtë të vendosin filtrat e duhur dhe të seleksionojnë informacionin që marrin.
Multikulturalizmi është një tjetër pikë e rëndësishme e aktiviteteve të nismës rinore duke bërë të mundur njohjen e diversitetit fetar, gjithashtu dhe advokacia.
Në aktivitetin e zhvilluar për çeljen e fazës së dytë të nismës “Të njoh ty” ka qenë i pranishëm edhe Dom Injacio, klerik i kishës katolike për Korçën dhe Devollin i cili është njëkohësisht një ndër trajnerët. Kjo fazë e dytë pritet të zgjasë deri në muajin shtator të këtij viti duke përfshirë aktivitete dhe trajnime të shumta.