Kanë përfunduar punimet për restaurimin e kishës së “Shën Mërisë” në Barmash të Kolonjës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Kisha gjatë viteve të fundit kishte pësuar dëmtime të shumta, kryesisht në çati por dhe në afreske. Ndërhyrjet restauruese nën mbikëqyrjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës nëpërmjet fondeve të Ministrisë së Kulturës e kanë bërë këtë kishë të vizitueshme për turistët vendas e të huaj.
Prej fillimit të vitit 2023 u bë rishikimi i projektit të rikonstruksionit të kësaj kishe, që hapi rrugën e nisjes së punimeve restauruese.
Gjatë viteve të fundit nga ana e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Korçë janë kryer ndërhyrje të shumta në objektet e trashëgimisë së kulturës, kryesisht në kishat e manastiret e Vithkuqit dhe Voskopojës. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është rijetëzimi i tyre në funksion të zhvillimit të turizmit.