• Lajme kombëtare

Qeveria kompenson rritjen e pagës minimale, ja kush përfiton dhe sa

Rritja e pagës minimale në datën 1 prill i ka vënë në vështirësi disa subjekte, por ato do të kompensohen. Kjo do të thotë se në financat e tyre do të arkëtohen paratë e taksapaguesve të tjerë, për të siguruar vazhdimësinë e biznesit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka treguar skemën se si do të funksionojë kompensimi financiar.

Udhëzimi i firmosur nga ministrja Delina Ibrahimaj, tregon përdorimin e fondit të kontingjencës për kompensimin financiar të rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për çdo të punësuar më pagë minimale, për shkak të rritjes së kësaj page në shkallë vendi.

Kështu subjektet private që kanë të drejtë të aplikojnë për të përfituar nga fondi i kontigjencës për kompensimin financiar janë subjekte juridike apo fizike që kanë të punësuar punëmarrës që paguhen me pagë minimale dhe ushtrojnë aktivitet në fushat e veprimtarisë ekonomike të industrisë përpunuese, peshkimit, bujqësisë dhe pyjeve, të cilat rezultojnë në regjistrin e tatimpaguesve të administratës tatimore.

Subjektet private të mësipërme, në zbatim të VKM- së nr. 114 datë 1.3.2023, plotësojnë formularin e kërkesës elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Kërkesë për kompensim financiar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.  Afati i kërkesës është jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës, nga muaji i pritshëm i deklarimit, për periudhën që kërkohet kompensim, në të kundërt e drejta e kompensimit për atë periudhë humbet.

Aplikantët, kërkesa e të cilëve nuk është aprovuar ose pranuar pjesërisht, kanë të drejtën e ankimimit pranë drejtorit të drejtorisë rajonale të AKPA-s, brenda 3 ditëve pune, nga momenti i publikimit të listës përfundimtare të subjekteve përfituese.

Numri i punonjësve me pagë minimale të subjektit aplikues i referohet periudhës kontributive të muajit dhjetor 2022.

Po cili është përfitimi për çdo punonjës?

Ministria e linjës ka saktësuar se shuma totale për çdo kompensim, për çdo muaj do të bazohet në numrin e punonjësve, dhe do të jetë në masën 1,674 lekë për çdo punonjës, ndërsa  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të kishte gati listën e punonjësve përfitues brenda datës 10 prill 2023. Ndërsa vendimi përkatës i qeverisë ka hyrë në fuqi në datën 6 Prill.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *