• Lajme kombëtare

Qeveria kërkon të përjashtohen nga kontributet pensionistët që vetëpunësohen në sektorin privat

Këshilli i Ministrave kërkon të ndryshojë ligji për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, duke iu propozuar deputetëve disa nga gjetjet e saj të procesit të këshillimit me qytetarët shqiptarë.

Sikursë shihet nga projekti që është hedhur për konsultim publik, të gjithë personat e punësuar me profesion në fushën e teknologjisë së informacionit (IT), dhe të regjistruar në subjektet me aktivitet kryesor në fushën e teknologjisë së informacionit, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë Parqeve Teknologjike dhe Shkencore, do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore në nivelin e pagës minimale mujore në shkallë vendi, të evidentuar në kontratën e punës, pavarësisht pagës bruto të deklaruar.

Por ndryshimi më i rëndësishëm i kërkuar ka të bëjë me pensionistët e punësuar. Qeveria i kërkon ligjvënësve që të marrin parasysh dhe të votojnë kërkesën e saj për të përjashtuar nga detyrimi për të paguar kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, përfituesit e pensionit të pleqërisë që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat.”

Ndryshimi i kërkuar saktëson se pagesa nuk ndalohet, nëse përfituesi i pensionit të pleqërisë punon në sektorin privat si punësuar apo i vetëpunësuar. Po ashtu përfituesit e pensionit të pleqërisë, të cilët ndërkohë që tërheqin këstin mujor të pensionit, janë të punësuar ose të vetëpunësuar në sektorin privat, nuk i njihet periudha e punësimit si periudhë sigurimi.

Sipas relacionit të qeverisë projektligji lidhet me nevojën për të përditësuar kuadrin ligjor, nisur nga disa rrethana e zhvillime të konstatuara në vitet e fundit në tregun e punës në Shqipëri si dhe me miradministrimin e skemës së sigurimeve shoqërore dhe synon në mbulimin me elemente të sigurimeve shoqërore të një kategorie personash me profesion në fushën e teknologjisë së informacionit, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në një fushë specifike sikurse janë Tekno-Parqet, lehtësimin nga barra e pagesës së kontributeve të një kategorie përfituesish të pensionit të pleqërisë që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat si dhe rikthimin në fondin e sigurimeve shoqërore të shumës së kësteve të pensioneve që janë gjeneruar dhe kaluar padrejtësisht në llogarinë bankare të pensionistit.

Aktualisht janë 1 484 përfitues të pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar të vetëm në sektorin privat, të cilët paguajnë kontribute çdo muaj në më shumë se 14 milionë lekë, të cilat kalojnë në fondin e sigurimeve shoqërore. Shuma e rreth 170 milionë lekëve në vit, me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve, zbritet nga të ardhurat në fondin e sigurimeve shoqërore.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi 

/rtsh/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *