Ka nisur puna për ndërtimin e një qendre të re shëndetësore në fshatin Leminot të Bashkisë së Maliqit, falë një donacioni nga një organizatë humanitare. Ndërtimi i qendrës së re ka ardhur si kërkesë e vetë banorëve pasi ambulanca aktuale prej vitesh ishte amortizuar dhe nuk ofronte as kushtet më minimale për ofrimin e shërbimit shëndetësor. Banorët thonë se pavarësisht kushteve, shërbimi nuk iu ka munguar në asnjë moment dhe nga ana tjetër shprehen të kënaqur për ndërtimin e qendrës së re.
Shërbimi në qendrën shëndetësore të fshatit Leminot në mungesë të një mjeku, mbulohet nga një infermier. Ai pranon faktin se ambulanca e ndërtuar që në vitin 1995, nuk përmbush kushtet për ofrimin e shërbimit dhe se ndërtimi i qendrës së re shëndetësore do t’i vijë në ndihmë komunitetit të këtij fshati i cili do të marrë shërbim në kushte më të mira.
Në fshatin Leminot të njësisë administrative Pirg banojnë rreth 750 banorë të cilët shumë shpejt do të marrin shërbimin shëndetësor në kushte më të mira me ndërtimin e qendrës së re shëndetësore në qendër të fshatit. Punimet për ndërtimin e saj pritet të zgjasin rreth 2 muaj.