• Maliq

Pylli i fazanëve, destinacioni i fundjavës/ Vizitorë të shumtë shijojnë freskinë dhe natyrën e bukur

Pylli i Fazanëve në bashkinë e Maliqit vijon të jetë një nga atraksionet turistike më të preferuar nga vizitorët e gjithë qarkut Korçë dhe jo vetëm, sidomos në fundjavë. Veçanërisht në këtë stinë vere, me ajrin e pastër, natyrën e qetë dhe kafshët e ndryshme, pylli i fazanëve kthehet në destinacionin i cili ndryshon ditët monotone dhe të fal një relaks dhe qetësi të papërshkrueshme.

Vendi është shumë i bukur, me gjelbërimin dhe shtigjet që mund të ecësh, me hapësirat e pyllit ku mund të organizosh lojëra dhe aktivitete të ndryshme. Fëmijët preferojnë të luajnë me top, por kënaqësi më vete është edhe të ushqehesh në natyrë. Me ambiente të organizuara për vizitorët, është krijuar mundësia për të realizuar barbeque dhe të shijosh freskinë dhe ajërin e pastër që ka ky ambient.

Pylli i fazanëve ndodhet në afërsi të fshatit Drithas në Bashkinë e Maliqit dhe distanca jo shumë e largët me qytetet si Korça, Pogradeci e bëjnë këtë destinacionin e preferuar në fundjavë. Megjithatë vizitorë ka edhe nga qytete të tjera, të cilët kanë mbetur të mrekulluar me natyrën dhe qetësinë që të ofron ky mjedis.

Pylli i fazanëve ndodhet shumë pranë qytetit të Maliqit dhe vetëm 10 km larg nga qyteti i Korçës. Është një pyll i përzier gjysëm natyror, i përbërë prej plepi, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit.Vitet e fundit, ai është kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët. Ajri i pastër, peizazhi mahnitës, gjelbërimi që të shoqëron kudo, janë disa nga arsyet përse të gjithë e zgjedhin këtë mrekulli natyrore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *