Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka deklaruar se projektligji i ri për studentët e mjekësisë që pritet të votohet në Kuvend është hartuar me qëllimin që shqiptarëve t’u garantohet shërbimi i duhur shëndetësor.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kushi theksoi se ligji nuk është antikushtetues dhe as nuk detyron asnjë student por ata që duan të qëndrojnë në Shqipëri pas diplomimit do të nënshkruajnë marrëveshjen përkatëse për të kontribuar deri në 5 vite.
Thelbi i ligjit është të mbështesim akoma më shumë ata që do të qëndrojnë në Shqipëri, ata që do të kontribuojnë për të ofruar shërbim shëndetësor në institucionet tona.
“Dua ta theksoj që në fillim se ligji nuk është antikushtetues, ligji nuk detyron askënd. Ligji i jep mundësinë të zgjedhin.
Marrëveshjen do ta nënshkruajnë vetëm ata duan, që e mendojnë, që e ndjejnë që pas diplomimit duan të punojnë dhe kontribuojnë 2, 3 apo 5 vite në Shqipëri.
Thelbi i ligjit është të mbështesim akoma më shumë ata që do të qëndrojnë në Shqipëri, ata që do të kontribuojnë për të ofruar shërbim shëndetësor në institucionet tona”, u shpreh Kushi.
Sipas Kushit, ligji është një mekanizëm që të përmbushet detyrim “për të plotësuar nevojat me mjekë dhe profesionistë të fushës së mjekësisë në spitale, në qendra shëndetësore, pra të plotësojmë nevojat për burime njerëzore në institucionet tona shëndetësore.”
Ajo shtoi se Shqipëria ka nevojë për numër më të madh të mjekëve për të ploëstuar të gjitha nevojat dhe shërbimet e duhura ndaj qytetarëve.