Çelet ekspozita përmbyllëse e kolonisë së pikturës “Vjeshtë në Maliq”. 15 piktorë nga i gjithë vendi për tre ditë me radhë kanë vizituar vendet më piktoreske të bashkisë së Maliqit duke hedhur në telajo ngjyrat e vjeshtës. Interesante për piktorët ka qenë pylli i fazanëve, fusha e Maliqit, grykëderdhja e lumit Devoll por edhe liqeni piktoresk i Moglicës, të cilat ata i kanë përjetësuar në punimet e tyre. Qytetarët e kanë vlerësuar këtë ekspozitë e cila shërben sipas tyre edhe për të promovuar zonat më të bukura të Maliqit.
Kjo koloni piktorësh për kryebashkiakun Gëzim Topçiu është mjaft e rëndësishme për promovimin e bukurive të zonës së Maliqit. Ai i ka falenderuar piktorët për punimet e prezantuara, si dhe për pjesëmarjen në këtë edicion të tretë, duke u shprehur se vitin e ardhshëm synon që kolonia të jetë edhe më e gjerë e me më shumë artistë.
Në përmbyllje të aktivitetit për të gjithë piktorët janë shpërndarë certifikata vlerësimi. Çdo piktor ka dhuruar njërin prej punimeve për bashkinë e Maliqit, ndërsa punimet e tjera tashmë do të udhëtojnë në të gjithë vendin dhe jashtë tij si ambasadorët më të mirë që do të promovojnë zhvillimin e turizmit.