Festa e pashkës Ortodokse kremtohet masivisht në qytetin e Korçës, duke bërë që në fundjavë, ky qytet të popullohet edhe nga vizitorë prej qyteteve të tjera të Shqipërisë e jo vetëm. Janë disa arsye që zgjedhin Korçën si destinacionin e preferuar, si mikpritja e ngrohtë, peisazhi që ofron dhe bukuritë natyrore e kulturore duke përfshirë edhe fshatrat turistikë si Dardha e Voskopoja e sigurisht pa lënë mënjanë traditën dhe kulinarinë e veçantë.
Me fillimin e kësaj jave, kanë nisur edhe prenotimet e strukturave akomoduese. Edhe pse fluksi është më i ulët se viti i kaluar, nuk kanë munguar rezervimet për festën e Pashkës. Vizitorët në këtë periudhë, sipas pronarëve të bujtinave kanë qenë kryesisht nga Tirana e Durrësi.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se në Bashkinë e Korçës funksionojnë mbi 120 struktura akomoduese me rreth 3200 shtretër. Sipas operatorëve turistikë, pritet që në ditët në vijim, të shtohen ndjeshëm prenotimet në to.