Parlamenti miratoi të enjten (16 mars) ndryshimet në Kodin Rrugor në Republikën e Shqipërisë, me synimin për të ulur numrin e aksidenteve automobilistike që kanë shqetësuar opinionin kohët e fundit.
Mes debatesh në Kuvend, ndryshimet u miratuan me 101 vota pro, ndërsa 1 votë ishte abstenim dhe 6 kundër.
Kodi i ri parashikon heqjen e postblloqeve në rrugët interubane dhe kryerjen e ndalimeve të mjeteve nga ana e policisë rrugore në pika kontrolli me kushte të larta sigurie. Shpejtësia do të rritet në disa akse deri në 130 km/h.
Ligji i ri detyron bashkitë të sigurojnë pa pagesë 50 % të parkingjeve, por do të ketë edhe përgjysmimin e gjobave në rast të kryerjes së pagesës brenda 15 ditësh.
Një tjetër ndryshim do të prek edhe shoferët e rinj që pajisen me patentat të kategorisë B. Në dy vitet e para shoferët e rinj nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 KW/TON.
Një nga ndryshimet në Kodin Rrugor është rritja e afatit të rinovimit të patentës, i cili do bëhet çdo 15 vjet, në krahasim me 10 vjet që është aktualisht.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku tha se Shqipëria tashmë ka infrastrukturën e duhur për të pasur një Kod Rrugor modern.
“Është një projektligj që duhet të gjejë një konsensus të gjerë, pasi Shqipëria tashmë ka infrastrukturën e duhur për të pasur një Kod Rrugor modern, i cili duhet t’i përgjigjet të gjitha zhvillimeve që tashmë ne kemi në vendin tonë. Kemi ndërtuar një infrastrukturë të denjë për çdo vend europian” tha ajo.
/korca.rtsh.al/