Është përmbyllur panairi i librit për fëmijë e të rinj, i zhvilluar për herë të parë në qytetin e Korçës. Qindra tituj librash të zhanreve të ndryshme, kanë qenë në dispozicion të lexuesve të vegjël për t’u argëtuar si edhe për të zgjerur horizontin. Kjo nismë ka vijuar për 4 ditë tek ambjentet e qytezës së fëmijëve, ku paralelisht janë kryer edhe një sërë promovimesh të librave për fëmijë.
Pjesë e këtij panairi ka qenë edhe Biblioteka shëtitëse ndërsa një sërë shtëpish botuese, kanë sjellë për vogëlushët libra të ndryshëm.
Në ditën e fundit të këtij panairi është bërë dhe promovimi i librit të dytë të shkrimtares Sara Kordalli, romani “Misteret e Lornës”.
Qindra fëmijë kanë vizituar këtë panair, ku kanë pasur mundësi të përzgjedhin një larmi librash.
Libri është thesari më i çmuar për të pasuruar botën e brendshme të njeriut, veçanërisht për të kultivuar vlera të dijes e qytetarisë. Ndaj është e rëndësishme që procesi i leximit të nisë që në moshë të vogël, pasi ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin mendor të fëmijës.