Prej vitesh, Korça është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor. Në qytetin e Serenatave, gjatë verës mund të kalosh fundjavat më të këndshme pasi ky qytet, ruan ende traditën e tij të vjetër, që i ka dhënë edhe këtë emërtim. Këto këngë lindën si dedikime dashurie që djemtë, ua këndonin vajzave rrugicave të qytetit dhe kjo traditë e bukur vijon edhe sot, ku në lokalet e qytetit nuk mungojnë serenatat të cilat këndohen edhe nga të rinjtë.
Turizmi kulturor ze një vend të rëndësishëm gjithashtu, pasi Qarku i Korçës ka një pasuri të madhe përsa i takon trashëgimisë kulturore. Në të, numërohen 169 monumente që i përkasin kategorive të ndryshme.Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet. Muzeu i Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Kombëtar i Arsimit, Muzeu Oriental “Bratko” apo Muzeu Arkeologjik, janë pa diskutim muzeumet më unike në Shqipëri, të cilat ruajnë identitetin dhe kulturën brenda çdo vepre të ekspozuar dhe janë një vlerë e shtuar në prurjet turistike, që tërheqin interesin e vizitorëve.