Ndërtimi i modeleve inovative që bazohen në përdorimin e energjisë së paster diellore dhe biomasës nga mbetjet që gjenerohen nga procesi i përpunimit të bimëve mjekësore aromatike, kryesisht sa i takon procesit të tharjes së bimëve, ka qenë në fokus të një takimi të mbajtur në qytetin e Bilishtit me subjekte eksportuese të këtyre bimëve dhe përfaqësues të një sërë institucionesh. Lajmin e këtij takimi e ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetet sociale Prefekti i Qarkut Korçë Nertil Jole i cili ndër të tjera bën me dije se ky takim vjen edhe në kuadër të një projekti që është Zhvillimi Ekonomik Vendor, i mbështetur nga Ambasada Suedeze në Tiranë që vjen në mbështetje të fuqizimit të sektorit të bimëve mjekësore-aromatike (BMA) dhe prodhimeve të tjera jo drusore. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Korçë, bashkia Devoll dhe Universiteti “Fan S. Noli” për të prezantuar e nxitur një diskutim lidhur me ndërtimin e këtyre modeleve.
Në postimin e tij Jole citon: “Mundësitë për ta zhvilluar këtë sektor janë të shumta, por edhe pse ka sfida jo të lehta, bashkëpunimi më i mirë midis subjekteve paralele në këtë zinxhir, me qëllim që të sigurohet një dalje më e sigurt në tregje të huaja, marketim dhe mbrojtje e origjinës së produkteve shumë të kërkuara nga vënde të zhvilluara, ishte pjesë e ideve që u hodhën në këtë takim, ku nga ana ime vura theksin për të konsideruar seriozisht fillimin e përpjekjeve për krijimin e partneriteteve në formën e një “federate” me bashkim kapitali për këtë nën-sektor të rëndësishëm të bujqësisë.”
Takimi është mbajtur tek biznesi familjar i grumbulluesit të bimëve aromatike e mjekësore Riza Shaholli, i cili grumbullon një sasi të konsiderueshme të tyre nga 500 familje, kryesisht të llojeve muriz, dëllinjë e zezë dhe e kuqe, hidhër, lule shtog, zhumbricë, bisht kali, rrënjë qumështore, çaj, lule basani, etj. Ai i siguron këto bimë në disa fshatra ku më kryesoret për mbledhjen dhe grumbullimin e bimëve janë fshatrat Çioan, Përparimaj, Kuç, Stropan, Arrëz, Bitinckë, Baban, Eçmenik, Miras, etj.