1061 nxënës të arsimit fillor në bashkitë Korçë, Maliq e Pustec i janë nënshtruar sot provimit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve për vitin shkollor 2022-2023. Ky provim synon të vlerësojë njohuritë dhe kompetencat bazë të fituara nga nxënësit në 3 lëndë.
Nxënësit të cilët iu nënshtruan këtij provimi, kanë zhvilluar edhe orë konsulte me psikologët e shkollave, duke qenë se kanë pasur ngarkesë emocionale, kjo për faktin se është provimi i parë që zhvillojnë.
Burime pranë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Korçë-Pustec bëjnë me dije se testimet për Bashkitë Korçë dhe Pustec u zhvilluan në 10 shkolla ndërsa në bashkinë e Maliqit, në 8 shkolla. Provimi filloi në orën 10:00, zgjati 1 orë e 30 minuta dhe u mbikqyr nga administratorë dhe sekretues të trajnuar nga zyrat arsimore. Ky provim, vjen si një test studimor në kuadër të kurrikulës së re arsimore dhe nuk vlerësohet me notë, por me pikë.