Spektakli më i madh rinor “Rin Show” ka ulur siparin e edicionit të 15-të të tij. Për 5 netë me rradhë, kanë qenë në konkurrim 6 gjimnazet e qytetit, ku të rinjtë kanë shpalosur talentin e tyre në disiplina të ndryshme të artit si në muzikë, kërcim, balet, aktrim si edhe në modë. Në finalen e mbajtur tek pallati i sportit “Tamara Nikolla”, janë shfaqur disa prej performancave që nxënësit kanë prezantuar natë pas nate, përpara jurisë së përbërë nga Anila Konomi, përfaqësuese e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Teuta Lavdari, aktore e koordinatore arti, këngëtaret Fatbardha Hoxha dhe Laxarela Deti si dhe regjisori e aktori i mirënjohur Guri Koço.
Këngë, kërcime e një sfilatë mode, kanë qenë disa prej performancave të nxënësve të talentuar.Çmimet e para të ndara në këtë finale, ishin ato për modelët më të mirë, të cilat u ndanë nga koordinatorja e artit Teuta Lavdari.
Nxënëset e gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe “Faik Konica” kanë interpretuar disa këngë të huaja ndërsa kolegji “Preka” performoi një balet modern.
Mbrëmja vijoi me ndarjen e çmimeve për instrumentistët më të mirë, të cilat u ndanë nga përfaqësuesja e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Anila Konomi.
Një kërcim ritmik i të rinjve ka ndezur atmosferën ndërsa më pas, janë ndarë çmimet për ata që kanë aktruar më bukur në këtë Rin Shoë, çmime të cilat u ndanë nga regjisori e aktori Guri Koço.
Në këtë mbrëmje të veçantë, kanë përshëndetur edhe grupi më i ri muzikor i krijuar në qytetin e Korçës, “Ardianët”
Çmimet e kërcimtarëve më të mirë dhe këngëtarëve më të talentuar janë ndarë nga Teuta Lavdari dhe këngëtarja Fatbardha Hoxha.
Për 3 artistët më të mirë gjithashtu ka pasur çmime individuale si edhe për trupën më të mirë të baletit,çmim i cili shkoi për grupin e gjimnazit “Themistokli Gërmenji”.
Qershia mbi tortë e kësaj mbrëmje kanë qenë përformancat e kolegjit “Platon”, i cili arriti të fitojë çmimin e parë në këtë konkurrs duke rrëmbyer kupën e edicionit të 15-të të këtij Rin Show.
Nën kujdesin e koreografit Bardhi Pojani dhe organizatores,Drejtoren e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” Blerta Belliu, të rinjtë janë përgatitur për të sjellë këto performanca kaq të bukura ndërsa tashmë “Rin Show”, ky spektakël maratonë i të rinjve, është kthyer në një traditë për qytetin e Korçës.