17 maji shënon ditën botërore të Hipertensionit, një faktor rreziku për shumë sëmundje. Kjo ditë, vjen me mesazhin “Njihni tensionin tuaj të gjakut” dhe synon sensibilizimin e popullatës, për diagnostikimin dhe kurimin e tij që në fazat e hershme, për të shmangur komplikacionet, duke qenë një sëmundje që tashmë po prek edhe moshat e reja.
Në këtë kuadër, Sektori i Promocionit pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për të informuar qytetarët së çfarë është presioni i lartë i gjakut, i njohur në gjuhën mjekësore si hipertension, faktorët që e shkaktojnë atë si obeziteti, jeta sedentare, kequshqyerja, etj ndërsa kanë kryer falas, matje të tensionit, nivelit të glicemisë në gjak, oksigjenit dhe peshës.
Presioni i lartë i gjakut është faktor rreziku edhe për një sërë sëmundjesh si ato të zemrës, goditjeve në tru, sëmundjeve të veshkave e syve, ndaj këshillohen qytetarët që të kryejnë herë pas here, matje të presionit të gjakut për të kuptuar nëse vuajnë nga hipertensioni e për ta kuruar atë me medikamentet përkatëse.