Shqipëria shpall ambicien për zëvendësimin e një pjese të nënprodukteve të naftës me lëndë djegëse jo fosile për motorët me djegie të brendshme. Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka hartuar një projektligj, lidhur me prodhimin, transportin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve djegëse, të rinovueshme, për transport.
Projektligji, sipas relacionit që e shoqëron, ka qëllim promovimin e kontributit në përmbushjen e angazhimeve për emisionet e gazeve që vijnë nga konsumi i hidrokarbureve në këtë sektor.
“Për Shqipërinë, transporti është kontribuesi më i madh i CO2 dhe në përmasat e vendit, ndikon në ndryshimet klimatike. Qëllimi i ligjit është të krijohen politika nxitëse për kultivimin të bimëve energjetike ne Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve. Për te arritur objektivat është e nevojshme dhe vendosja e detyrimit ndaj operatoreve qe të garantojnë furnizimin e tregut me sasi minimale vjetore me biokarburante.”- thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.
Nga ana tjetër, pr/ligjika si qëllim edhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve për dobinë që sjell në mjedis dhe në shëndetin e tyre, konsumi biokarburanteve në sektorin e transportit duke respektuar cilësinë e benzinës dhe të gazoilit gjatë shtimit të biokarburanteve në procesin e përpunimit dhe të përzierjes.
Objektivat kombëtare janë përcaktimi i sasisë minimale vjetore në treg të biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport; nxitja e prodhimit dhe e përdorimit të biokarburanteve; garantimi i efektshmërisë optimale të punës së motorit; kontributi në mbrojtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit; zhvillimi i qëndrueshëm i sektorëve të bujqësisë si stimul për zhvillimin rural dhe nxitje të punësimit duke respektuar kriterin e qëndrueshmërisë; ulja e sasisë së emetimeve të ndotësve në ajër dhe të emetimeve të gazeve me efekt serrë, të çliruara nga veprimtaritë në sektorin e transportit.
Tregtimi i biokarburanteve për një periudhë prej 10 vjetësh nga data e hyrjes ne fuqi e ligjit do të jetë i përjashtuar nga regjimi fiskal në Shqipëri vetëm për sasinë e biokarburanteve të pastra (100% bio dhe jo për pjesën e nënproduktet respektive të prodhuar nga përpunimi i naftës bruto), të cilat plotësojnë kushtet e qëndrueshmërisë.