Çmimet e karburanteve kanë pësuar një ulje të lehtë, krahasuar me çmimet aktuale të tregtimit të tyre në pikat e shitjeve, si me shumicë ashtu edhe me pakicë. Vendimet e ditës së mërkurë të Bordit të Transparencës kanë çuar në ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër. Ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN do të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.
“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 80 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 68 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 99 lekë/litër.”- thuhet në vendimin e Bordit.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi që nga dita e mërkurë ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.”- thuhet në njoftimin e Bordit.