Shqipëria do të marrë një hua prej 50 milionë eurosh nga KFV Bank për reformimin e sektorit të energjisë në vend. Me vendim të Këshillit të Ministrave u miratua në parim marrja e huasë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se kjo hua do të shërbejë për zhvillimin e sektorit energjetik dhe zhvillimin e planeve të Shqipërisë për diversifikimin e saj deri në 2029.
Synimi i kësaj, tha Ballaku, është rritja me 4 teravat (TW) prodhimin e energjisë në vend që do e kthejë Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë.
“Miratuam në parim huan mes Shqipërisë dhe KFV për reformimin e sektorit energjetik, me 50 mln euro. Jemi në rrugë të mbarë ku të gjitha projektet janë vendosur në afate deri në 2029 ku në sekretoni energjetikë të kemi një prodhim plus 4 teravat që do e kthejë në një eksportues neto vendin. Kemi një përfundimi të suksesshëm të ngritjes së bursën energjetike shqiptare duke nisur me këmbën e mbarë tregun e lirë”, tha Balluku.
Edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se kjo hua do të shërbejë në funksion të investimeve në fushën e energjisë.
Një tjetër marrëveshje huaje e lidhur me KFV Bank do të jetë edhe për zhvillimin e zonave rurale, ku investimi do të fokusohet në zonën e Pogradecit dhe Pustecit. Ibrahimaj tha se KFV do të jap një financim prej 20 milionë eurosh dhe një grant prej 1 milionë eurosh për zhvillimin rural që do të rrisë edhe punësimin në zonë.
“Miratuam huan mes Shqipërisë dhe KFV-së për projektin e zhvillimit të integruar rajonal dhe është për zhvillimin dhe strategjinë e qeverisë për zhvillimin e zonave rurale. Kemi një financim prej 20 mln euro dhe një grant prej 1 mln euro që do të përdoren më së shumti në Pogradec dhe Pustec. Do investohet në zonat rurale ku aty ku ka më shumë nevojë për zhvillim dhe punësim”, tha Ibrahimaj.