Për shkak të trashësisë se madhe te dëborës shoqëruar me ngrica, 10 fshatra të njësive administrative Gorë në bashkinë Maliq si dhe Dardhas në Bashkine e Pogradecit janë të izoluar. Qarkullimi për shkak të pranisë së madhe të akullit në rrugë është i vështirë edhe në fshatrat e Devollit të sipërm siç është i tillë edhe në aksin rrugor Shtyllë – Panarit, kryesisht në majë të Mashkullores, aty ku kalimi bëhet me zinxhirë. Për të njëjtën arsye me zinxhirë kalimi bëhet edhe në fshatrat e njësive administrative Trebinjë e Velçan në bashkinë e Pogradecit si dhe në fshatrat të njësisë administrative Vithkuq. Njësitë administrative nga dita e djeshme janë duke punuar për normalizimin e situatës rrugore si dhe kriposjen e rrugëve kryesore të këtyre njësive. Pavarësisht vështirësive banorët në fshatra, sidomos ata më të moshuar e quajnë këtë një dimër të butë, ndërsa shprehen se zonën përpara banesave e kanë pastruar vetë ashtu siç e kanë pasur traditë prej vitesh.
Gjatë orëve të fundit ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike kryesisht në Ersekë e Pogradec, ndërsa grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë duke punuar për rikthimin e energjisë elektrike edhe në këto zona. Mësohet se janë zgjidhur problemet e një dite më parë sa i takon furnizimit me energji elektrike në fshatra të thella të Mollasit në Ersekë. Trebinjës në Pogradec, Lekasit në Korçë, apo edhe Gorës në Maliq.