Besimtarët e krishterë në qytetin e Korçës kanë kremtuar Krishtlindjen, festën më të madhe e më të rëndësishme të Krishtërimit. Liturgjia e shenjtë është mbajtur tek Katedralja “Ngjallja e Krishtit” nga Mitropiliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joani, i cili ka dhënë lajmin e lindjes së shpëtimtarit.
Në mesazhin drejtuar besimtarëve por edhe mbarë qytetarëve Mitropoliti i Korçës theksoi se lajmi i mirë i lindjes së Krishtit vjen çdo vit si shenjë shprese për mbarë njerëzimin.
Qindra besimtarë ortodoksë kanë ndjekur liturgjinë e shenjtë. Pas meshës besimtarët kanë ndezur qirinj e kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe, shëndet e dashuri.
Sipas traditës besimtarët ortodoksë në qytetin e Korçës, pas meshës, ndezjes së qirinjve e lutjeve, vijojnë festimet me drekën tradicionale në familje.