Makinat, të cilat do të parkohen gabim, jo vetëm do të gjobiten në shuma të mëdha parash, por ato do të merren nga karrotrecët dhe më pas, gjoba për t’i marrë do të rëndojë akoma më shumë në xhepat e shoferëve, të cilët parkojnë ku të munden dhe si të duan nëpër rrugë. Në funksion të disiplinimit të parkimit të makinave, ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, kanë ndërtuar një plan masash për të lehtësuar trafikun e rënduar. Sipas ministrit të Brendshëm, Taulant Balla parkimeve të gabuara vend e pa vend, parkimeve dyshe e treshe në mes të rrugës, parkimeve mbi trotuar apo tek korsia e biçikletave etj, do duhet t’i jepet fund.
“Trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e tjera, ka si burim kryesor edhe parkimet e gabuara, të cilat bllokojnë rrjedhshmërinë e trafikut”, tha ministri.
Sipas tij, së shpejt do të ndërhyhet me karrotrecë për të zhvendosur makinat e parkuara gabim.
“Ne duam mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët, të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor. Numri i madh i masave ditën e djeshme në Tiranë, është një apel publik për reflektim dhe bashkëpunim drejtuar përdoruesve të mjeteve”, nënvizon ministri.
Sipas tij, Policia e Shtetit nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive ndaj dhe brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet.