Qeveria kërkon t’i japë një dimension të ri zhvillimi, zonës piktoreske në Lin të Pogradecit përmes zhvillimit të qëndrueshëm të peshkimit, që sjell më shumë të ardhura ekonomike për peshkatarët dhe banorët e këtij rajoni turistik. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca takoi në Lin, peshkatarët e Pogradecit dhe Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit me të cilët diskutoi nga afër mbi ecurinë e punës së tyre, vështirësitë që ata kanë dhe adresimin e mbështetjeve në ndihmë të peshkatarëve të kësaj zone. Krifca theksoi se, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, peshkatarët e Pogradecit do të kenë një mol të ri peshkimi, në sajë të projektit për Ekonominë Blu me qeverinë italiane për ndërtimin e 7 moleve të reja të zbarkimit përgjatë bregdetit shqiptar, me një vlerë investimi prej rreth 8.2 milionë euro, për të nxitur më tej formalizimin dhe menaxhimin e sektorit të peshkimit artizanal duke krijuar kushtet e duhura për peshkimin, rritjen e sigurisë ushqimore dhe të ardhurave për peshkatarët si dhe garantimin e shitjes së produkteve në tregje me vlerë më të lartë.
Krifca deklaroi toterancë zero për peshkimin e paligjshëm, teksa bëri të ditur se strukturat përkatëse janë në një aksion ditor për ndalimin e veprimtarive të paligjshme në peshkim.
Nga ana e tyre, peshkatarët vlerësuan mbështetjen e dhënë në drejtim të shtimit të numrit të rasatit, përdorimin e naftës pa taksa për anijet e tyre, mbështetjen me subvencione për rinovimin e flotës së anijeve të peshkimit, si dhe mbështetjen ligjore në ruajtjen e zhvillimit të qëndrueshëm të peshkimit.