Në vendin e quajtur “Dobërgore”, në fshatin Arrëz, të Devollit çdo 20 gusht organizohet festa e fshatit. Kjo festë organizohet çdo vit që prej vitit 2001 në pyllin e shenjtë të Dobergorës, nga një grup banorësh nga fshati Arrëz që jetojnë në Tiranë. Festa zhvillohet midis pyllit me lisa shekullore, në një godinë të ndërtuar që në vitin 2013 nga kontributi i banorëve. Festa nuk ka kuptim fetar, por është një takim i të gjithë banorëve të fshatit Arrëz, për të nxjerrë mallin me njëri-tjetrin. Kjo festë sot ka marrë përmasat e një feste pagane, ku marrin pjesë banorë të trevës së Devollit dhe fushës së Korçës dhe drejtuesit e institucioneve vendore të qarkut Korçë.
Qytetarët dëfrehen nën ritmet e këngëtarëve pjesëmarrës gjithashtu përgjatë pasdites nën shoqërinë e njëri-tjetrit në freskinë e pyllit shijojnë dhe gatime tradicionale si mish i pjekur ne hell, apo dhe rakinë e kumbullës që është specialitet i zonës. Kjo festë ka bërë të mundur që fshati Arrëz është futur në projektin e qeverisë shqiptare të “100 fshatrave”, pasi kjo zonë ka një vazhdimësi të resurseve turistike, të zonës pyjore, të livadheve dhe burimeve të ftohta, të vargmaleve të Gramozit, bashkë me fshatrat e tjera të këtij projekti, sic janë: Boboshtica, Dardha, dhe Nikolica. Përveç bukurive natyrore, freskisë, paqes dhe begatisë, ky vend është i njohur edhe si vend i shenjtë që përmban disa legjenda që ja vlen të zbulohen nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë festë të traditës shqiptare.