Temperaturat e larta që kanë përfshirë Qarkun Korçë kanë shtuar nevojën për ujitje të kulturave bujqësore, në mënyrë që të mos dëmtohet prodhimi. Por fermerët e fushës së Devollit po hasin vështirësi për kryerjen e këtij procesi, pasi bllokimi i kanaleve ujitëse ka bërë që të vuajnë mungesën e ujit. Ata detyrohen që të sigurojnë ujë të vetëm ndërsa kërkojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi
Nga ana tjetër, bashkia Devoll bën me dije se ekzistojnë problematika të tilla, ku një pjesë e kanaleve është mbuluar nga bimësia. Për këtë arsye, janë marrë masat dhe ka nisur menjëherë puna për pastrimin e tyre në mënyrë që ky problem të marrë zgjidhje
12 ujëmbledhësat që ndodhen nën administrimin e bashkisë Devoll janë në kapacitete të kënaqshme për furnizimin me ujë të kanaleve vaditëse. Burime në bashkinë Devoll bëjnë të ditur se ata janë inspektuar nga ana e specialistëve për të parë gjendjen e tyre ndërsa kontrolle të herëpashershme janë kryer edhe gjatë sezonit të dimrit për ruajtjen e sigurisë së digave të tyre duke kontrolluar shkarkuesët si dhe pusetat në hyrje e në dalje dhe nuk ka pasur probleme