• Kolonjë

Turizmi në Kolonjë/ Vizitorë vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë e kësaj zone

Në juglindje të Shqipërisë, aty ku ajri i pastër, aromat e luleve dhe mikpritja bëhen bashkë, gjendet krahina e Kolonjës, e njohur tashmë për pasuritë natyrore dhe traditat e larmishme të saj.

Rrugës për në Kolonjë, që në majën e Qarrit shfaqet përpara pllaja e bukur e kësaj krahine, teksa sytë të kënaqen nga bukuritë e saj dhe mushkëritë të mbushen me ajrin që rreh fushat e malet përreth.

Në këtë të nxehtë vere që sapo ka filluar, çdokush mund të marrë frymë thellë dhe të ndjejë aromën e freskët të luleve të rritura në livadhet e malit të Gramozit.

Me një reliev të larmishëm dhe pasuri të shumta natyrore, krahina e Kolonjës po tërheq edhe më shumë njerëz pranë gjirit të saj nëpërmjet zhvillimit të turizmit.

Turistë të shumtë vendas, por edhe të huaj shijojnë bukuritë e natyrës, ushqimet e freskta dhe mikpritjen e kolonjarëve. Vizitorë nga Gjermania kanë pasur si destinacionin e tyre të radhës Kolonjën. Në  mikrofonin e RTSH Korçës ata shprehen se janë mahnitur nga pamjet e bukura të kësaj krahine.

Përpos natyrës së gjelbër, burimeve ujore dhe majave të larta malore, ajo çfarë u lë mbres njerëzve që e vizitojnë këtë krahinë është kënaqësia që marrin kur takohen me njerëz bujarë, mikpritës e të kulturuar të zonës.

Kolonja turistike, veçanërisht në këtë stinë vere, arrin të kënaqë syrin e vizitorëve që zgjedhin si destinacionin e tyre të radhës këtë zonë, me një spektakël ngjyrash të krijuara nga vetë natyra. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *