• Maliq

Dëmtohen mollët dhe të mbjellat. Rikthimi i reshjeve në fundjavë sjell probleme në bujqësi

Rikthimi i reshjeve intensive në fundjavë, ka sjellë problematika në sektorin e bujqësisë. Fusha e Maliqit ka qenë më e prekura ku sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së konsumatorit në këtë bashki, bëhet me dije se nga breshëri i së shtunës kryesisht në fshatrat Podgorie dhe Vreshtas, janë dëmtuar 5 HA me qepë, 7 HA me perime të kopshtit, ka rrëzime të grurit në sipërfaqe që shkojnë deri në 20 HA, ndërsa në zonën e Zëmblakut janë dëmtuar rreth 20 HA pemtore me mollë si dhe 2 HA vreshta. Fermerët shprehen të shqetësuar nga kjo situatë e zgjatur me reshje e lagështirë duke pohuar se kanë pasur dëme të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe.

Edhe më herët, lagështia e tepërt ka sjellë dëmtim tek pemtoret me mollë edhe në zona të tjera, si në fshatin Dvoran që njihet për kultivimin e këtij fruti.

Ndërkaq nga ana tjetër, specialistë të fushës këshillojnë marrjen e disa masave siç janë trajtimet me kimikate në pemtore, por që edhe këto rëndojnë xhepin e fermerit.

Breshëri i rënë ditën e shtunë ka sjellë dëmtime në të mbjella e pemtore edhe në disa fshatra si Nizhavec, Selenicë e Shamoll ndërsa grupet e punës janë duke mbikqyrur situatën në terren, për të vlerësuar dëmin e shkaktuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *