Si çdo vit, 13 qershori kulmon me pelegrinazhin më të madh fetar në Kishën e Shën Ndout në Laç, disa kilometra mbi kreshtën e malit të qytetit.
Mijëra besimtare nga e gjithë Shqipëria madje dhe nga diaspora e vizitojnë këtë vend kryesisht gjatë 13 të martave të shenjta, që nisin prej muajit mars dhe kulmojnë me 13 qershor.
Pelegrinët të ardhur thuajse nga i gjithë vendi, kanë kryer ritet fetare pranë kishës, e njohur si ndër 6 vendet e shenjta të pelegrinazhit të globit. Besimtarët e kalojnë natën duke u lutur dhe thonë se për ta ky është vendi më i rëndësishëm.
Kisha e Laçit daton që prej vitit 1300, kur u ndërtua për herë të parë nga fretërit françeskanë. Ajo u shkatërrua në vitin 1971 nga i ashtuquajturi Revolucioni kulturor, për tu ringritur në vitin 1990.
Kisha e Shën Ndout ndodhet e veçuar në majë të malit, ku pelegrinëve u duhet të përshkojnë kilometra të tëra dhe të ngjisin qindra shkallë për të arritur në majë. Arsyeja që pelegrinazhi fokusohet me 13 të martat lidhet pikërisht me vdekjen e shenjtorit, në nder të cilit është ngritur edhe Kisha.
Gazetar Norel Zaimi