Plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni, që ka përfshirë kryesisht të rinjtë, po e ndryshon ndjeshëm strukturën e popullsisë në vend, duke përmbysur piramidën në favor të moshave më të vjetra.
INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, me rënie 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak sesa një vit më parë.
Të dhënat më të detajuara të INSTAT, sipas grupmoshave, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se rënien më të madhe e ka pësuar grupmosha deri në 29 vjeç, sidomos ajo nga 15-29 vjeç, që ka qenë më e prirur dhe për të emigruar, si për shkollë, me prindërit, apo për të punuar.
Në total, vendi kishte 40 mijë më pak të rinj nga 0-29 vjeç në janar 2023, në krahasim me janarin 2022, nga të cilët 27.5 mijë, ose gati 70% janë të moshës 15-29 vjeç. (shiko grafikun: Ndryshimi vjetor i popullsisë, sipas grupmoshave, 2023/2022).
Në rritje të lehtë është grupmosha 30-39 vjeç, ndërsa po tkurret për 40-59 vjeç. Ndërsa të rinjtë po pakësohen gjithnjë e më shumë, po shtohen me ritme të lartë të moshuarit mbi 60 vjeç, me gati 17 mijë persona më shumë se një vit më parë.
Lini një Përgjigje