Qytetit të Ersekës do i shtohet së shpejti një palestër e re, e cila do të ketë ambjente të bollshme, kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku ai ka paraqitur pamjet e palestrës së re e cila do të vihet në funksion të dy shkollave të qytetit, të fëmijëve por edhe të ekipeve zinxhir të të gjithë Kolonjës.
Financimin për ndërtimin e palestrës së re e ka marrë përsipër Ministria e Arsimit dhe bashkia e Kolonjës, të cilat do të bëjnë të mundur një hapësirë sportive për fëmijët dhe të rinjtë, e cila do të jetë dinjitoze e moderne. Pjesë e investimit do të jenë edhe fushat sportive për volejboll, baskëtboll e tenis, ndërsa e gjithë sipërfaqja përreth do të jetë e gjelbëruar dhe me ambjente çlodhëse e rekreative.