Këtë të hënë kanë nisur ndeshjet eleminatore të kampionatit të ekipeve sportive në shkolla, në kuadër të projektit me të njëjtin emër, në disiplinat volejboll dhe basketboll. Projekti i cili është iniciuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, mbështetet nga qeveria shqiptare dhe është duke u zbatuar në 61 bashki të vendit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale dhe Ministrinë e Rinisë dhe Fëmijëve. Ekipet fituese të këtij kompeticioni, do të përfaqësojnë qarkun e Korçës në Kampionatin Kombëtar që do të zhvillohet së shpejti. Ky projekt ka për qëllim masivizimin e sportit në shkolla dhe edukatën sportive në përditshmërinë e të rinjve dhe pritet që në vijimësi të përfshihen edhe disiplina të tjera.
Prej fillimit të këtij viti shkollor në shkollat e qarkut të Korçës janë ngritur ekipet sportive, të cilët me mbështetjen e trajnerëve janë përgatitur në dy disiplina volejboll dhe basketboll.
Në qarkun e Korçës janë ngritur 44 ekipe, ku marrin pjesë rreth 760 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Ky është një projekt që synon të krijojë elitën e ardhshme të sportit elitar në vendin tonë.