Rritja e çmimeve ka vijuar edhe përgjatë muajit mars 2023, duke u ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”. Sipas raportit të INSTAT, kjo rritje është pasuar edhe nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”.
Por kërkesat e shumta, si dhe shtrenjtimi i mjaft materialeve si dru dhe të lëndëve të para, ka çuar në rritje edhe grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”. E vetmja ulje është shënuar në grupin “Transport”, ku ulja e çmimit të naftës ka çuar edhe në një reflektim sa i përket shpenzimeve për transport.
Krahasuar me një vit më parë, mars 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Hotele, kafene dhe restorante”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” etj. Ndërsa grupi “Transport” ka shënuar uljen më të madhe me 7,5 %.
Duke qenë se grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka shënuar rritjen më të madhe të çmimeve, brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” shënuan rritjen më të madhe me 20,6 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 15,9 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 13,6 %, “mish” me 11,4 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 8,0 %, “bukë dhe drithra” me 5,6 %, etj.
Duke i krahasuar çmimet me muajin shkurt 2023, rritja për muajin mars ka qenë më e lehtë krahasuar me periudhën e mëparshme.
/rtsh.al/