Ka nisur puna për pastrimin e kanalit të ujrave të larta në Sovjan të bashkisë Maliq. Ndërhyrja e cila ka nisur nga derdhja e lumit Devoll pranë këtij fshati, po kryhet nga Drejtoria e Ujitje Kullimit në Korçë dhe parashikon pastrimin në 10 km gjatësi. Ky kolektor është pjesa shkarkuese e ujrave të fushës së Maliqit ndërsa është parashikuar që të largohen rreth 51 mijë m3 aluvione që janë depozituar gjatë kësaj kohe. Puna është planifikuar të zgjasë rreth një muaj ndërsa në punë do të jenë 2 eskavatorë.
Më pas, pastrimi do të vijojë tek vazhdimi i kolektorit të Sovjanit c20 ku është parashikuar të largohen rreth 56 mijë m3 aluvione të grumbulluara nga ujrat e depozituara të fshatrave Vreshtas, Koritë, Shën Gjergj, etj. Në këtë kolektor është ndërhyrë edhe gjatë viteve të kaluara, në mënyrë që të mos kishte probleme për fermerët e fushës së Maliqit duke shmangur përmbytjen e tokave pasi kullimi në këtë kolektor ka qenë pa probleme.
Gjithashtu në fushën e Maliqit, është ndërhyrë edhe më parë për pastrimin e Lumit Devoll në segmentin në afërsi të Pyllit të Fazanëve për të bërë largimin e aluvioneve të grumbulluara prej vitesh, çka kishte sjellë bllokimin e këtij Lumi duke sjellë për pasojë përmbytjen e tokave përreth për shkak të moskullimit të tyre. Në lumin Devoll, bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Ujitje-Kullimit, do të ketë sërisht një ndërhyrje së shpejti ku parashikohet të largohen rreth 50 mijë m3 aluvione.