Nga 20 marsi dhe deri në datën 11 prill, fermerët shqiptarë do të duhet të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e subvencioneve në sektorin e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit.
Një udhëzim i përbashkët i ministrive së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe asaj të Financave dhe të Ekonomisë, që e disponon edhe Televizioni Shqiptar, përcakton në mënyrë të hollësishme skemën e përfitimit nga një fond disa herë më i lartë se ai i viteve të kaluara, dedikuar sektorëve të bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit.
Ka qenë një vendim i datës 1 Mars 2023 i Këshillit të Ministrave që ka përcaktuar kriteret bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe masën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2023 që i ka hapur rrugën edhe nisjes së aplikimit për përfitimin e këtyre fondeve.
Sipas këtyre akteve, janë gjithsej 10 masa mbështetëse për bujqësinë, që fillojnë nga financimet për kafshët riprodhuese, bletaria, farat dhe fidanet, fermat organike, infrastrukturën e anijeve të peshkimit, ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, mbështetjen me naftë për shërbimet bujqësore deri tek trajnimet dhe certifikimet në fushën bujqësore.
Në ndërkohë që, skema kombëtare për vitin 2022 shtrihej në vetëm 5 masa mbështetëse për bujqësisë dhe blegtorinë, për herë të parë do të aplikohet edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje. Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100,000, në vitin e dytë dhe tretë 150,000 lekë dhe 200,000 për fermë të certifikuar.
Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3,3 miliardë lekë, nga 4,9 miliardë lekëve të vitit të kaluar.
Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022, të cilat zëvendësuan heqjen e skemës së kompensimit 6% të TVSH-së te agroindustria, vendosjen e 10% të TVSH-së te inputet bujqësore nga zero që ishin më parë, përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht. Një tjetër ndryshim që nisi zbatimin nga 1 korriku 2022 ishte edhe vendosja e akcizës 6 lekë/litri nga zero që ishte më parë për gazin që përdoret nga bizneset.
Financimi i bujqësisë nga sektori privat ka rëndësinë më të madhe, pra luan një rol vendimtar në rritjen dhe zhvillimin e bujqësisë. Kjo lidhet direkt me investimet që sipërmarrja në bujqësi ka nevojë, por edhe nevoja për operacionet në fermë për kapital qarkullues. Rritja ekonomike e viteve të fundit në Shqipëri, është ndikuar pozitivisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe nga investimet ne sektorin bujqësor, të cilat janë mbështetur nga subvencionet dhe grantet e programeve të ndryshme nga shteti shqiptar, Bashkimi Europian dhe donatorë të ndryshëm, duke sjellë një përfitim direkt për rreth 10,000 agrobiznese në vit.