Largohet drejtori i burgut të sigurisë së lartë të Drenovës. Burime të siguruara bëjnë me dije se Altin Gusho, pas dy vitesh në këtë detyrë ka lënë pozicionin e titullarit të këtij institucioni. Të njëjtat burime thanë se Gusho nga Burgu i Drenovës pritet që të kalojë në krye të burgut të Pojskës, burg i cili pritet të hapet së shpejti.
Institucion i cili do të shërbejë për vuajtjen e dënimeve të personave të moshës së tretë që kanë kryer vepra të ndryshme penale, një pjesë e të cilëve vuajnë dënimin e dhënë në burgje të tjera të vendit, me kushte jo të përshtatshme për moshën e tyre.
Një nga emrat më të lakuar që pritet të jetë në krye të burgut të Drenovës është ai i Durim Toskës. Toska më herët ka qënë në detyrën e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Pogradecit. Toska ka kryer edhe detyra të ndryshme në drejtorinë e policisë së qarkut Korçë. Deri tani zyrtarisht as Altin Gusho nuk ka filluar punë në burgun e Pojskës dhe nga ana tjetër as Durim Toska nuk ka marrë zyrtarisht drejtimin e burgut të Drenovës.
Në burgun e drenovës vuajnë dënimin për vepra të ndryshme penale më shumë se 470 persona, ndërkohë që në të njëjtin burg ka edhe një sektor të sigurisë së lartë, një pjesë e të burgosurve të këtij sektori janë të dënuar me burgim të përjetshëm. Në të njëjtin burg ndodhen më shumë se 200 të paraburgosur në pritje të vendimeve të formës së prerë.