• Korça

Zgjedhjet e 14 majit, tërhiqet Gjata. Gjergji Gjata: Ndryshimi i listave në mënyrë arbitrate shkak i tërheqjes

Mjeku Gjergji Gjata është tërhequr nga gara për zgjedhjet vendore të 14 majit për Bashkinë e Korçës së bashku me 40 kandidatë për këshillin bashkiak të këtij qyteti. Gjata kishte shpallur kandidaturën nga radhët e Partisë Demokratike të grupit të Enkelejd Alibeajt, me 22 shkurt të këtij viti si kandidat për zgjedhjet vendore të 14 majit, por është tërhequr nga kandidimi pasi siç shprehet ai në një njoftim për mediat bërë publik përmes profilit të tij në FB tërheqja është bërë për mungesë të procedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të Partisë Demokratike me kandidimet. Mjeku Gjergji Gjata ka deklaruar se arsyeja e tërheqjes nga gara për zgjedhjet vendore të 14 majit për Bashkinë e Korçës së bashku me 40 kandidatët për këshillin bashkiak, lidhet me ndryshimin e listës nga ana e kryetarit të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Gjata sqaron se Alibeaj dhe një ish-deputet kanë ndryshuar listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak dhe e dorëzuan atë të ndryshme nga lista e dërguar nga baza e demokratëve dhe kandidati i Korçës, pa informuar as kandidatin, as anëtarësinë e partisë dhe as kandidatët.

“Ju informojmë se unë si kandidati për Kryetar i Bashkisë Korçë dhe 40 kandidatë për Këshillin Bashkiak, të partisë politike PDSh, tërhiqemi nga gara elektorale (në mënyrë të parevokueshme) për Zgjedhjet Vendore 2023, për mungesë të procedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të PDSh lidhur me kandidimet, si dhe për shkelje të integritetit dhe dinjitetit të të gjithë kandidatëve, cënuar nga vendime personale dhe jo kolegjiale.

Urojmë më të mirën për Korçën dhe suksese për kandidatët më të mirë në të gjithë vendin.

(Proçedurën zyrtare do e kryejmë sipas rregullave që parashikon ligji, pranë KQZ.)

Sqarim plotësues: PDSh në formë arbitrare, puniste, pa vendimmarrje kolegjiale, por me vendimin e dy personave (një ish deputet dhe kryetari Alibeaj), në mesnatë ndryshuan listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak dhe e dorëzuan atë të ndryshme nga lista e dërguar nga baza e demokratëve dhe kandidati i Korçës, pa informuar as kandidatin, as anëtarësinë e partisë dhe as kandidatët”, shkruan Gjata.

Më tej, Gjata bën me dije se Alibeaj ishte paralajmëruar nga ai dhe kandidatët për këshillin bashkiak të Korçës se nëse do të ndryshonte listën, ata do të tërhiqeshin nga gara elektorale në mënyrë të parevokueshme.

“Kjo ishte arsyeja e vetme e largimit. Kujdes! Mbrëmjen e djeshme krerëve të PDSH i është bërë me dije prej meje personalisht që nëse ndryshohet lista e kandidatëve, do të largohemi, si unë, ashtu edhe kandidatët e Këshillit Bashkiak”, shprehet ai.

Gjata kishte shpallur kandidaturën nga radhët e Partisë Demokratike të grupit të Enkelejd Alibeajt, për zgjedhjet vendore të 14 majit. I kontaktuar nga RTSH Korca, mjeku Gjata ka bërë me dije se nuk ka asnjë koment tjetër veç arsyetimit që ka bërë një natë më parë në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *