Xhiroja e fundit e Kategorisë Superiore rikthehet këtë fundjavë me 3 ndeshje dhe kompletohet të hënën me dy të tjera. Faza finale i shpërndan dy skuadrat kryesuese, Partizanin dhe Tiranën, respektivisht në Rrogozhinë dhe Elbasan.
Të kuqtë sfidojnë Egnatian në një moment super ku skuadra e Tetovës ka shansin të hyjë edhe “de facto” në garën e titullit pasi diferenca me kreun është vetëm 6 pikë dhe një sukses i mundshëm do ta ngushtonte në 3, por në krahun tjetër, ekipi i Colellas po gëzon shëndet të plotë me 3 fitore në 3 të fundit dhe ndalesa e kësaj të hëne do të heqë shumë pikëpyetje rreth forcës që ka kjo skuadër aktualisht.
Tre orë diferencë dhe dhjetra km më larg, në “Elbasan Arena”, Tirana pret Kukësin. Bardheblutë të trazuar mes zërave për një largim të mundshëm të Orges Shehit, nuk e kanë humbur për asnjë moment përqëndrimin ndërsa arma fatale Florent Hasani është pika e referimit në këtë sfidë që do të transmetohet drejtëpëdrejtë në RTSH Sport duke nisur që prej orës 18:00 të së hënës.
Java do të nisë me tre duelet e së dielës së pashkëve ku Vllaznia dhe Erzeni ndeshen në “Loro Boriçi” për të ndarë llogaritë e vendit të katërt. Shkodranët me një trajner dhe frymë të re do të kërkojnë të shkëlmojnë momentin negativ pa fitore në 6 ndeshjet e fundit por Erzeni nuk dëshiron të bëjë më hapa mbrapa pas disfatës 3-1 në Elbasan kundër Tiranës. Po në orën 18:00 Teuta do të presë Laçin dhe në këtë sfidë luhet edhe zona play off që kurbinasit dëshirojnë ta evitojnë për të mos rrezikuar shumë në fund të sezonit.
Vetëm 1 pikë i ndajnë të dyja skuadrat me Lacin që momentaklisht mban vendin e tetë ndërsa durrsakët e Edi Martinit kanë mundësinë e artë për të shkelmuar përfundimisht hijet e zonës së ftohtë. Ndërkohë, në orën 15:00, në Krujë do të luhet futboll mes dy skuadrave që mbyllin klasifikimin ku Kastrioti do të kërkojë 3 pikë për të lënë pas Bysilin ende në lojë për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve.