Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë, situata emergjente e zjarreve mbetet një sfidë e madhe. Përmes një postimi në Facebook Bashkia Korçë u ka kërkuar qytetarëve të jenë kujdesshëm dhe të njoftojnë autoritetet përkatëse për çdo emergjencë.
“Territori i Bashkisë Korçë është përfshirë këto ditë nga temperatura të larta, të cilat përbëjnë shkak për rënien e zjarreve në banesa, biznese, kullota, pyje, etj. Ju lutemi të gjithë banorëve të Bashkisë Korçë të kenë kujdes në hedhjen e mjeteve të ndezura në tokë ose ndezjen e zjarreve në mjedis, në mënyrë që të evitojmë rënien e tyre, si dhe dëmet që mund të shkaktojnë. Për shkaktarët e rënies së zjarreve do të merren masat që prashikon Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Kërkojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithë banorëve për të parandaluar dhe shuar çdo vatër zjarri që mund të shfaqet në territorin e Bashkisë Korçë. Për çdo rast rënie zjarri ju lutemi të na kontaktoni në numrat:
128 Shërbimi Zjarrfikës, 112 Shërbimi i Emergjencës, 129 Policia e Shtetit” – thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.
Më herët edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka vënë theksin tek përballimi i situatës së zjarreve gjatë stinës së verës. Nëpërmjet një statusi në rrjetet social ministri Peleshi ka kërkuar bashkëpunim dhe kujdes nga çdo qytetar për të reduktuar rreziqet dhe për të siguruar jetën e gjithësecilit dhe të komunitetit.
“Situata emergjente e zjarreve është një sfidë e madhe për të gjithë ne dhe mënyra më e mirë për t’u përballur me të është të jemi të përgatitur për të shmangur rreziqet për të mbrojtur veten, të tjerët dhe natyrën e vendit tonë. Bashkëpunimi dhe kujdesi i çdo individi janë thelbësore për të reduktuar rreziqet dhe për të siguruar jetën tonë dhe të komunitetit. Kujdesi ndaj zjarreve duhet të jetë prioritet për të gjithë ne. Bashkë, për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve. Telefononi menjëherë 128 Shërbimin e Zjarrfikëses, në çdo kohë e për çdo rast emergjence.” – shkruan Peleshi.
Prej më shumë se një jave vendi ynë është përfshirë nga vala e të nxehtit. Rritja e temperaturave, ka nxitur autoritetet të marrin masa të shtuara për parandalimin e zjarreve në vendin tonë.